Turqia shpreh shqetësim që presidenti në Mali u detyrua të japë dorëheqje

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë tha se e ka pritur me “shqetësim dhe trishtim të thellë” që presidenti Ibrahim Boubacar Keita në Mali u detyrua të japë dorëheqje duke shpërbërë Parlamentin dhe qeverinë si pasojë e një grusht shteti të kryer dje nga një grup brenda forcave të armatosura, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga ministria turke vihet në theksi mbi pritshmërinë për rivendosjen me shpejtësi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Malin mik dhe vëlla, lirimin e menjëhersëm të presidenti të arrestuar Keita dhe të zyrtarëve të tjerë si dhe rikthimin e sa mëparshëm të rregullit kushtetues në vend.

“Shprehim shqetësim dhe trishtim të thellë që presidenti Ibrahim Boubacar Keita në Mali u detyrua të japë dorëheqje duke shpërbërë Parlamentin dhe qeverinë si pasojë e një grusht shteti të kryer dje në Mali nga një grup brenda forcave të armatosura”, thuhet në deklaratën e ministrisë turke.

Turqia mbështet përpjekjet e ndërmarra me këtë qëllim nga Kombet e Bashkuara (OKB), Unioni Afrikan dhe Komuniteti Ekonomik i Vendeve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) thuhet në deklaratën ku theksohet se “Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Malit vëlla dhe mik në këtë periudhë të vështirë që ai po kalon”.

– Zhvillimet që rezultuan me dorëheqjen e Keita-s

Dje në mëngjes në një bazë ushtarake në Kati e cila ndodhet në afërsi të kryeqytetit Bamako pati lëvizje dhe automjetet ushtarake përparuan në kryeqytet. U theksua se ushtria u nda në dy grupe dhe se krahas ushtarëve kryengritës ka patur edhe persona që kanë vepruar me urdhër të Keita-s.

Gjatë kësaj u bë e ditur se u arrestuan kryetari i Parlamentit, Moussa Timbine, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Abdoulaye Daffe dhe ministri i Jashtëm, Tieble Drame.

Keita i cili u arrestua pas drekës nga një grup ushtarësh dhe më pas u dërgua në bazën ushtarake në Kati, në një fjalim të shkurtër të mbajtur në televizionin shtetëror njoftoi për dorëheqjen e tij dhe shpërbërjen e Parlamentit dhe qeverisë.

Grupet opozitare që prej muajit maj kanë zhvilluar shumë protesta me kërkesën për dorëheqjen e Keita-s. ECOWAS kishte propozuar uljen e opozitarëve dhe Keita-s në tryezën e dialogut por kjo ishte refuzuar nga opozitarët.

Platforma M5 RFP e formuar nga partitë politike opozitare dhe shumë organizata të shoqërisë civile njoftoi se do të vazhdonin protestat e tyre deri në dorëheqjen e Keita-s.