Turqia do të postojë një rritje të lartë ekonomike në tremujorin e tretë të këtij viti, deklaroi sot ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së vendit, Mustafa Varank duke shpresuar që kjo rritje të vazhdojë në nëntor dhe dhjetor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Turqia hyri në procesin e rikuperimit pasi kaloi një muaj të vështirë të prillit, kur u shfaq rasti i parë me COVID-19 në Turqi”, tha Mustafa Varank gjatë ceremonisë së hapjes së një fabrike në provincën veriperëndimore Tekirdag.
“Shënohet rritje e porosive të reja, përdorimit të kapaciteteve, investimeve dhe eksportit në industrinë prodhuese”, theksoi Varank.
Duke folur për kufizimet e lidhura me COVID-19 në BE, ai tha: “Shpresoj që mbylljet (në BE) nuk do të kenë ndikim negativ tek ne. Sigurisht, kjo nuk është në kontrollin tonë”.
Ministri Varank shtoi se “Prioriteti ynë kryesor është të kërkojmë mënyra për të ruajtur fuqinë e industrisë sonë në çdo kohë”.
Ekonomia turke u rrit me 0.9 për qind në vitin 2019, 4.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti dhe minus 9.9 për qind në tremujorin e dytë, mbi bazë vjetore.