Turqia shembull për Kosovën në transformimin e shëndetësisë

Ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdağ, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë do të vazhdojë gjithmonë të rritet, raporton Anadolu Agency (AA).

Akdağ është takuar sot me homologun e tij kosovar, Imet Rrahmani, në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë në Ankara. Dy ministrat pas takimit organizuan një konferencë të përbashkët për mediat.

Pasi shprehu kënaqësinë për takimin me Rrahmanin dhe delegacionin që e shoqërojnë atë, ministri Akdağ ka vënë theksin tek lidhja shumë e fortë që ekziston mes dy vendeve, duke shtuar se nuk është thjeshtë një bashkëpunim, por një solidaritet vëllazëror dhe miqësor. Ai ka vënë në dukje se Turqia ka njohur Kosovën vetëm një ditë pasi shpalli pavarësinë.

Akdağ veçoi se marrëveshja e parë mes Turqisë dhe Kosovës është firmosur nga vetë ai dhe se Turqia i jep shumë rëndësi unitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

“Normalisht që në rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve një rol të rëndësishëm kanë luajtur lidhjet tona me një të kaluar të hershme dhe historike. Personalisht i kushtoj shumë rëndësi rritjes së bashkëpunimit në fushën e mjekësisë. Krahas një marrëveshjeje që kemi bërë në vitin 2004 i kemi shtuar edhe atë pas pavarësisë së Kosovës më 18 shtator të vitit 2009. Në këtë mënyrë ne kujdesemi për klientët që vijnë nga Kosova në bazë të një protokolli të firmosur nga dy vendet. Kemi bashkëpunim në fushën e arsimit bashkë me miqtë dhe vëllezërit tanë kosovarë në Turqi. Që prej vitit 2013 ekipet tona të mjekësisë me rastin e javës mjekësore shkojnë në Kosovë dhe punojnë bashkë me kolegët e tyre kosovarë. Në këtë mënyrë edhe ndihmojnë pacientët dhe shkëmbejnë përvojën e tyre atje”, u shpreh ministri turk i Shëndetësisë.

Duke theksuar se takimi ka kaluar shumë i frytshëm, Akdağ në vijim ka thënë se Kosova është duke punuar për ngritjen e një sistemi të ri sigurimesh dhe se mbi bazën e kësaj po bën reforma në sistemin e shëndetësisë. Ai ka shtuar më tej se “Kemi vendosur që për reformimin e shëndetësisë në Kosovë të prezantojmë atje përvojën tonë duke ngritur një ekip dhe duke punuar bashkë.”

“Dëshirojmë të transferojmë këto suksese në Kosovë”

Ndërsa ministri kosovar i Shëndetësisë, Imet Rrahmani është shprehur se gjatë vizitës kanë patur mundësi të vizitojnë disa institucione shëndetësore në Turqi.

“E shikojmë si shumë të suksesshëm sistemin shëndetësor në Turqi dhe ne duam që këtë sukses ta transferojmë në Kosovë”, tha Rrahmani dhe më pas shtoi se kjo vizitë për fat të keq erdhi në një kohë të vështirë për Turqinë.

Rrahmani ngushëlloi familjarët e viktimave në sulmin terrorist në Stamboll dhe theksoi se Turqia do të kalojë me sukses të gjitha këto ditë të vështira.

Duke falënderuar Turqinë për qëndrimin pranë Kosovës në mënyrë të vazhdueshme, Rrahmani u shpreh se “Nëse nuk do të kishim një ndihmë të tillë, nuk do të mund të kishim zhvillime në disa përparime. Prej shumë kohësh, çdo vit 100 të sëmurë kurohen në Turqi. Këta pacientë zakonisht janë të rasteve të rënda që nuk mund të kurohen në Kosovë. Unë ju falënderoj shumë në emër të atyre familjeve. Shumë të sëmurë nga Kosova zgjedhin Turqinë për kurim. Ndërkohë shumë spitale të Turqisë kanë hapur klinikat e tyre në Kosovë. Në këtë mënyrë ata shërbejnë për lehtësimin e problemeve tona shëndetësore. Krahas kësaj veçanërisht në fushën e arsimimit dhe trajnimit Republika e Turqisë na ka ndihmuar. Unë gjej rastin që të falënderoj edhe njëherë ministrin Akdağ edhe për bashkëpunimin që do të kemi në të ardhmen”

Rrahmani më pas ka thënë se do të jetë i lumtur të shikojë praninë e ministrat Akdağ në Kosovë gjatë javës shëndetësore Turqi-Kosovë e cila do të organizohet së shpejti.