Në takimin për Sirinë i cili po vazhdon në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, Turqia, Rusia dhe Irani kanë rënë dakord që përmes një mekanizmi të përbashkët të sigurojnë monitorimin e shkeljeve të armëpushimit në Siri dhe zbatimin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga burime pjesëmarrëse në takimin në Astana, Turqia, Rusia dhe Irani kanë arritur marrëveshje që synon ndalimin e luftimeve dhe parandalimin e shkeljeve të armëpushimit.
Marrëveshja parasheh që tre shtetet të krijojnë një mekanizëm të përbashkët trepalësh për të monitoruar gjendjen e armëpushimit dhe zbatimin e tij.
Pritet që mekanizmi i përbashkët të bëjë detektime të shpejta përmes të dhënave të siguruara nga monitorimet e çastit dhe të ushtrojë influencë mbi palët për ndalimin e sulmeve.
Mësohet se marrëveshja përbën njërën nga pikat e pranuara në punimet për deklaratën e përbashkët të përgatitur nga palët e cila planifikohet të shpaloset gjatë ditës sē sotme.
Megjithatë, mësohet së deklaratës ende nuk i është dhënë forma përfundimtare.
Pika kryesore e rendit të ditës në takimet në Astana është fuqizimi i armëpushimit të shpallur më 30 dhjetor nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë dhe mënjanimi i shkeljeve të tij.
Ndryshe, Turqia ka marrë rolin e garantuesit në emër të opozitarëve, ndërsa Rusia atë të garantuesit për forcat e regjimit. Megjithatë, ushtria e Asadit dhe grupet e huaja të mbështetura nga Irani kanë shkelur armëpushimin qindra herë, ndërkohë që edhe opozitarët herë pas here i janë kundërpërgjigjur sulmeve.
Edhe ditën e djeshme në kohën e fillimit të takimit, forcat e regjimit organizuan sulme tokësore dhe ajrore në zonat e kontrolluara nga opozitarët në Damask, Dera, Hama, Halep dhe Latakia.
Ndërkaq, gazetarët e AA-së në Siri bënë të ditur se sulmet në zonat në fjalë kanë vazhduar nga mbrëmja deri më tani.