Konsullata e Përgjithshme e Türkiyes në Halep, aktivitetet e së cilës u pezulluan gjatë luftës civile në Siri në vitin 2012, rifilloi aktivitetet e saj diplomatike me ngritjen e flamurit turk, raporton Anadolu.
Në hapjen e konsullatës morën pjesë i Ngarkuari i Përkohshëm me Punë i Ambasadës Turke në Damask, Ambasadori Burhan Köroğlu, Konsulli i Përgjithshëm në Halep, Hakan Cengiz dhe shumë të ftuar.
Në ceremoninë e mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme Turke në Halep u ngrit në shtizë flamuri turk dhe aktivitetet diplomatike rifilluan pas një pauze 12-vjeçare.
Hapja u mirëprit me shumë entuziazëm edhe nga banorët e Halepit. Banorët e lagjes ku ndodhet konsullata festuan hapjen duke brohoritur me tekbire.
– Edhe Ambasada në Damask rifilloi gjithashtu aktivitetin e saj më 14 dhjetor
Ambasada turke në Damask, më 14 dhjetor 2024 rifilloi aktivitetet e saj që ishin pezulluar në vitin 2012.
Ambasada turke, e vendosur pranë sheshit Rawda në Damask të Sirisë ku janë përqendruar misionet diplomatike, vazhdoi të ofrojë shërbime për një kohë gjatë periudhës kur regjimi përdori dhunën kundër demonstruesve paqësorë, por ajo ndaloi aktivitetet e saj të përditshme më 26 mars 2012.
Me këtë vendim, edhe personeli i ambasadës dhe familjet e tyre u kthyen në Türkiye.
Forcat opozitare me një ofensivë të shpejtë e cila filloi më 27 nëntor 2024 morën nën kontroll qytetet kryesore, duke kulmuar me rënien e regjimit të Bashar Asadit pasi morën nën kontroll edhe kryeqytetin Damask më 8 dhjetor, duke përmbysur regjimin 61-vjeçar të partisë Baath në Siri.