Turqia promovon turizëm të sigurt për gjermanët

Turqia ka promovuar programin e saj të Certifikimit të Turizmit të Sigurt për operatorët kryesorë të gjermanëve në qytetin turistik të Mesdheut, Antalya, transmeton Anadolu Agency (AA).

Programi përfshin masa të gjera për transportin dhe akomodimin e vizitorëve vendas dhe të huaj. Ai po ashtu jep udhëzime për stafin e objekteve turistike për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë dhe Agjencia e Turizmit, Promovimit dhe Zhvillimit së bashku me kompaninë turko-gjermane SunExpress po presin gjermanët. 

Grupi prej 34 personash, i cili po ashtu përfshinte gazetarë, vizitoi hotelin Cornelia Diamond në rrethin Serik. Grupi u informua edhe për masat e marra në kurset e golfit. 

Menaxheri i hotelit, Zafer Alkaya, për AA tha se në kuadër të programit agjencitë elitare të udhëtimit të Gjermanisë vizituan klubet e golfit në objektin turistik. 

Alkaya shtoi se ata janë të gatshëm të mirëpresin turistët nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), veçanërisht turistët nga Gjermania, si dhe ato nga Rusia. 

Uğur Akça, drejtori i përgjithshëm i agjencisë Matrix Golf Reisen, me qendër në Gjermani, i përshkroi masat kundër koronavirusit në Aeroportin e Antalya-s si të “shkëlqyera” dhe tha se ai kurrë nuk ka parë këto lloj masash në ndonjë vend tjetër. 

“Këshillat e mia për turistët e huaj, ejani në Turqi”, tha Akça. 

Christine Basak-Lewin nga kompania “My Travel Company” tha se ajo shihte shenja kudo ku u kërkohej njerëzve që të ndiqnin masat kundër koronavirusit. Ajo shtoi se ajo do t’i këshillojë klientët të “udhëtojnë në Turqi pa hezitim”. 

Basak-Lewin po ashtu vlerësoi masat e Turqisë kundër koronavirusit duke theksuar se përgatitjet janë shumë më mirë në krahasim me vendet tjera evropiane. 

Turqia është një nga destinacionet më të njohura të udhëtimit për pushuesit gjermanë. Gati 5 milionë turistë gjermanë udhëtuan për në Turqi vitin e kaluar.