Turqia priti 7,3 milionë vizitorë të huaj në periudhën janar-gusht

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë ka bërë të ditur se numri i të huajve që vizituan Turqinë arriti në 7,3 milionë në periudhën janar-gusht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të lidhura me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe masave parandaluese të përhapjes së virusit, shifra ra me 76,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan të dhënat e ministrisë.

Pasi u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në të gjithë botën, duke shkaktuar miliona infeksione dhe mbi një milion vdekje.

Sektori i udhëtimit dhe turizmit u godit më së shumti nga virusi pasi njerëzit braktisën udhëtimet dhe shmangën kontaktet me njerëz.

Pas shtyrjes së sezonit të turizmit dhe anulimit të një numri ngjarjesh si panaire dhe ekspozita, Turqia rihapi objektet e turizmit në qershor si pjesë e procesit të normalizimit me masa rigoroze të sigurisë.

Stambolli, qyteti më i madh i Turqisë dhe një nga destiancionet kryesore turistike, priti gati 44 për qind të të gjithë vizitorëve, rreth 3,2 milionë në këtë periudhë të vitit.

Pas saj radhitet qyteti turistik mesdhetar i Antalias me 20 përqind ose 1,4 milionë vizitorë të huaj.

Edirne në Turqinë veriperëndimore, qytet i cili kufizohet me Bullgarinë dhe Greqinë, priti 981.026 vizitorë të huaj nga janari në gusht.

Gjermanët përbënin 10,9 për qind ose 789.602 të të gjithë vizitorëve, të ndjekur nga rusët me 10,65 për qind, bullgarët me 7,3 për qind, ukrainasit me 7,1 për qind dhe britanikët me 6,4 për qind.

Të dhënat zyrtare gjithashtu tregojnë se udhëtimet ajrore ishin mënyra më e preferuar për vizitorët e huaj për të arritur në Turqi, me 5,4 milionë udhëtarë, ndërsa mbi 1,7 milionë erdhën përmes rrugëve tokësore.

Muajin e kaluar, më shumë se 1,8 milionë vizitorë të huaj hynë në vend, një rënie nga viti në vit me 71 për qind, por shënoi rritje prej 95 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm.

Në vitin 2019, Turqia mirëpriti 45 milionë vizitorë të huaj, ndërsa 39,5 milionë në vitin 2018.