Turqia po punon me Ukrainën dhe Rusinë për të arritur pajtueshmëri për një plan të drejtuar nga OKB-ja, që të rifillohet eksporti i grurit.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi se eksporti synohet të kryhet nëpërmjet një korridori të sigurt transporti, raportoi BBC-ja të martën. Palët, sipas tij, po punojnë në “pastrimin” e korridorit nga minat në portin jugor të Odesas.
“Ne po bëjmë përpjekje për ta përfunduar këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Akar para gazetarëve.
Ukrainës iu pamundësua eksporti i prodhimeve bujqësore pas pushtimit rus që nisi shkurtin e këtij viti. Ky shtet është eksportuesi më i madh i vajit të gatimit si dhe i drithërave si misri e gruri. Gjithashtu, Rusia është eksportuese masive e drithërave dhe plehut. Mungesa e eksportit ka bërë që çmimet e këtyre produkteve të rriten ndjeshëm në vendet perëndimore.
Javë më parë, Anglia paralajmëroi krizë globale të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Guvernatori i Bankës angleze, Andrew Bailey, tha se sivjet, bota do të pësojë “shok real të të ardhurave”. /koha