Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë është duke përgatitur një anije të re humanitare, e cila gjatë festës së Kurban Bajramit do të niset drejt Gazës, ku palestinezëve do t’u ofrohet ndihmë humanitare, ushqim, mjete për fëmijë, medikamente, mjete higjienike dhe shkollore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim thuhet se Turqia ka intensifikuar mbështetjen për Palestinën dhe popullin e saj, dhe përmendet marrëveshje e arritur për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit. Ndërkohë edhe për Fitër Bajramin, Turqia ofroi ndihmë humanitare me anije për në Gazën.
Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe, Kerem Kinik, deklaroi se edhe anija e dytë në Gazë ofron 10.000 tonë ndihmë, dhe shtoi se plani i Turqisë është që të vazhdojë këtë trend të dërgimit të ndihmës në periudhën prej dy ose tre muajsh. “Po përgatisim ndihmë humanitare, ndërsa bëhet fjalë për një aksion në vlerë prej 50 milionë lirave (15.2 milionë euro). Qëllimi ynë është që edhe këtë Bajram t’i gëzojmë palestinezët në Gazë”, tha Kinik.
Kinik po ashtu, paralajmëroi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjatë periudhës së ardhshme në Gazë do të investojë edhe dhjetë milionë dollarë shtesë në përmirësimin e infrastrukturës e cila është e shkatërruar gjatë sulmeve të fundit izraelite.
“Investimi në infrastrukturë është i domosdoshëm me qëllim që ky rajon palestinez të ngrihet në këmbë dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Do të ndërtojmë në Gazë depo për nevojat në rrethana të jashtëzakonshme dhe spital të Gjysmëhënës palestineze. Anija e parë humanitare të cilën e dërguam ka mbërritur në mënyrë të sigurtë dhe kemi ndjekur shpërndarjen e saj për ata që dedikohej. Duke marrë parasysh vendosjen e dialogut të mirë, autoritetet izraelite na kanë ndihmuar në këtë proces. Shpresojmë se kështu do të jetë edhe kësaj radhe”, tha Kinik.