Turqia pasuron Arkivin e Shqipërisë me 350.000 dokumente të periudhës osmane

Rreth 350 mijë dokumente të periudhës osmane që datojnë nga shek. XV-XX me rëndësi historike kombëtare kanë ardhur nga Arkivi Qendror i Stambollit në formë digjitale dhe shumë shpejt do të jepen për shfrytëzim për të gjithë historianët dhe studiuesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Arkivave në Stamboll, prej së cilës ka marrë plot 350 mijë dokumente që i përkasin periudhës së Perandorisë Osmane.

Drejtori i Arkivave, Ardit Bido, gjatë një konferencë për mediat u shpreh se këto dokumente hedhin dritë mbi historinë e panjohur të sundimit osman në Shqipëri. Sipas tij, në vazhdim do të vijnë nga Stambolli të tjera dokumente të kësaj periudhe dhe të gjithë historianët e studiuesit do të gjejnë gjithçka në Arkivat shqiptare.

“350 mijë dokumente kanë ardhur nga Stambolli. Dokumentet datojnë nga shekulli XV-XX. Dokumentet janë me rëndësi historike. Ndërkohë, shumë shpejt do të vijnë të tjera dokumente nga Turqia. Dokumentet vijnë në kuadër të një marrëveshja bashkëpunimi me arkivin e Stambollit. Dokumentet kanë të bëjnë me çështje fetare, arsimore si dhe shkrimin e gjuhës shqipe”, -tha Bido. 

Gjatë vitit 2016 u morën rreth 5 mijë dokumente.AKSH përmban sot tërësinë e dokumenteve pas pavarësisë, por edhe tërësinë e dokumenteve gjatë periudhës osmane.Është një mori e jashtëzakonshme dokumentare, që duhet të kalojë në një proces renditjeje. Sipas parashikimeve tona nga fundi i vitit të ardhshëm do jenë gati dokumentet për shfrytëzim”, vijoi drejtori Arkivave.

“Kjo bëhet për të pasur një pamje të qartë historike mbi ato gjëra që nuk ishin të qarta. Do kemi gjithë pasurinë kombëtare mbi periudhën osmane. Asnjë studiues s’do duhet të shkojë në arkiva të tjera, do t’i ketë të gjitha këtu për Shqipërinë në periudhën osmane. Dokumentet që kanë ardhur janë të njëjta me origjinalet. Asnjë dokument i periudhës osmane nuk është sekret, por janë dokumente që nuk i dinim deri më dje. Ju takon historianëve t’i analizojnë”, deklaroi Bido.

Këto dokumente i përkasin më së shumti periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe janë dhurim i Arkivit Qendror Osman që ndodhet në Stamboll. Drejtori i AKSh-së tha se dokumenti më i vjetër daton më 8 shkurt 1455 dhe është një regjistër që përfshin timare në Rumeli, ku përfshihen dhe qytetet shqiptare si Prizreni, Janina dhe Elbasani.

“Dokumenti më i vjetër daton më 8 shkurt 1455 dhe është një regjistër që përfshin timare ku përfshihen qytete shqiptar si Prizreni, Janina dhe Elbasani. Ndër materialet që Arkivi ka marrë është edhe urdhëresa që i është dërguar Mytesarifëve të Ohrit, Vlorës, Delvinës, Bosnjës dhe Podgoricës për arrestimit e Mytesarifit të Shkodrës Mahmut Pashës dhe vëllait të tij Ahmet Pashës, pra të Bushatllinjve, për shkak se kanë bashkëpunuar me kryengritësit shqiptarë dhe ata malazezë. Po ashtu në mesin e këtyre dokumenteve ndodhet edhe fermani me këshilla administrative që i është sjellë Ali Pashë Tepelenës për të siguruar rregullin dhe qetësinë në kalatë e Pargës, të Prevezës, të Dubnicës, që u rimorën prej francezëve. Po ashtu një ndër dokumentet është edhe shkresa e përgjegjësit të Moresë, Ahmet Pashës, ku urdhërohen pashallarët për të mos lejuar kthimin e shqiptarëve të shpërngulur në More”, shprehet Ardit Bido.

“Dokumentet u përzgjodhën nga specialistët tanë që kanë shkuar në Stamboll. Në fund të procesit që do të marrim pjesën e dytë. Arkivi do të ketë dokumentimin në periudhën shqiptare nën sundimin osman”, deklaroi drejtori i Arkivave, Ardi Bido.

Bido më tej theksoi se “Ky pasurim përbën përpjekjen disavjeçare të Arkivit Shqiptar. Ky arkiv përmban sot jo vetëm tërësinë e historisë dokumentare të Shqipërisë dhe shqiptarëve pas pavarësisë, por edhe tërësinë e dokumenteve, të Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë periudhës osmane, me përjashtim të dokumenteve pronësore”.

Ndërkohë, me ndihmën e shtetit turk, vazhdon procesi i digjitalizmit të dokumenteve osmane që ndodhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.

Vlen të përmendet se që pas rënies së komunizmit, ka një debat të hapur mbi të djeshmen shqiptare në Perandorinë Osmane. Një pjesë e elitës vijojnë të mbrojnë idenë e një pushtimi, ndërsa një pjesë e madhe mbrojnë idenë e një sundimi, ku shqiptarët madje u trajtuan të privilegjuar nga Porta e Lartë, duke iu besuar shumë poste e detyra.