“Turqia, partner i besueshëm për blerjen e armatimeve”

Nga ministria e Mbrojtjes kanë thënë se Turqia është partner i besueshëm i Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve ajrore. Derisa në përshpejtimin e blerjes së armatimeve të sofistikuara po konsiderohet të kenë ndikuar krizat globale të sigurisë.

Me ftesë të homologut të tij, vizitën e nisi të martën në shtetin e Turqisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u prit në takim në kompaninë “Baykar” e cila prodhon dronët “Bayraktar” por edhe sisteme tjera për përdorim ushtarak dhe civil.

“Prokurimi i sistemeve të armatimeve do të vazhdojë, me fokus të veçantë gjatë vitit 2025 do të jetë ndërtimi i kapaciteteve ajrore, dhe sigurisht se në aspektin e blerjeve Turqia dhe kompania Baykar janë partner të besueshëm por që në këtë fazë nuk mund të ndajmë detaje të tjera me ju”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Blerje të tilla thotë se janë të mirëseardhura edhe koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj por që thotë se ka gjëra të panjohura në këtë proces.

“Vetë aspekti i burimeve financiare ju kujtohet edhe juve që kishte më herët një iniciativë për një fond të caktuar për blerjen e armatimeve dhe deri më tani nuk kemi asnjë informacion se deri ku kanë shkuar punët me grumbullimin e atyre mjeteve dhe a po përdoren ato mjete për blerjen e këtyre armatimeve apo ka një fond tjetër që është i ndarë enkas prej Qeverisë së Kosovës për blerjen e armatimeve”, tha Gecaj.

Kurse sipas profesorit të shkencave të sigurisë, Avni Islami krizat globale të sigurisë kanë ndikuar që të përshpejtohet procesi i blerjes së armatimeve të sofistikuara.

“Dhe kur kihet parasysh që kemi një armik të përbetuar Serbia e cila në vazhdimësi po armatoset është parë e nevojshme që të përshpejtohen procedurat për funksionalizimin e departamenteve të caktuara dhe reparteve të caktuara të Ushtrisë së Kosovës që FSK të kompletohet në një afat më të shpejtë që të jetë e mundur”, tha Islami.

Ministri Maqedonci, ka thënë se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër adresat shtetërore më të shpeshta të blerjeve të armatimit nga Kosova.