Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turqia nuk e pranon vendimin e SHBA-së për emigrantët afganë: Le t’i...

Turqia nuk e pranon vendimin e SHBA-së për emigrantët afganë: Le t’i marrë direkt me aeroplanë

Tanju Bilgiç

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tanju Bilgiç, iu përgjigj me shkrim për pyetjeje të bërë në lidhje me këtë çështje.

Tanju Bilgiç rikujtoi se në një deklaratë të bërë nga Departamenti Amerikan i Shtetit ditën e hënë, u theksua se aplikimet e afganëve për të emigruar në SHBA nëpërmjet programit amerikan të imigracionit për afganët që punojnë për organizatat joqeveritare (OJQ) dhe organet e shtypit me seli në SHBA, si dhe për familjet e tyre, do të merren nga vendet e treta përmes organizatave në të cilat ata punojnë, ndërkohë që si vend aplikimi u tregua gjithashtu Turqia.

“Para së gjithash, deklarata e SHBA-së do të shkaktojë një krizë të madhe emigracioni në rajonin tonë dhe do të rrisë vuajtjet e afganëve në rrugët e mërgimit. Është e papranueshme të kërkohet një zgjidhje në vendin tonë pa pëlqimin tonë, në vend që të gjendet një zgjidhje ndërmjet vendeve të rajonit”, vlerësoi ai.

Pasi risolli në vëmendje se Turqia është vendi që pret numrin më të lartë të refugjatëve në botë gjatë 7 viteve të fundit, Bilgiç sqaroi se vendi i tij nuk ka më kapacitet për të marrë përsipër një krizë emigracioni të re në emër të një vendi të tretë.

“Si Turqi, ne nuk e pranojmë vendimin e papërgjegjshëm të marrë nga Shtetet e Bashkuara pa u konsultuar me vendin tonë. Nëse SHBA-ja dëshiron t’i pranojë këta njerëz në gjirin e saj, atëherë mund t’i marrë ata duke i transferuar drejtpërsëdrejti me aeroplanë. Vendi ynë nuk do të marrë përgjegjësitë ndërkombëtare të vendeve të treta në asnjë rrethanë dhe s’do të lejojë që vendet e treta të abuzojnë ligjet tona për qëllimet e tyre. Askush nuk duhet të presë që kombi turk të mbajë barrën e krizave migratore, të cilat ndodhin në rajonin tonë si pasojë e vendimeve të vendeve të treta”, përfundoi zëdhënësi i MPJ turke. /trt

Exit mobile version