Turqia nuk do të lejojë masakra të tjera mbi njerëzit në Idlib të Sirisë, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Javën e kaluar, gjithashtu edhe ushtria jonë u sulmua. Pësuam humbje. Ne u kundërpërgjigjëm dhe do të vazhdojmë të kundërpërgjigjemi”, tha Çavuşoğlu në një eveniment anësor të quajtur “Opsionet e Politikës së Jashtme Turke” në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
“Ne presim që aleatët dhe partnerët tanë të punojnë me ne dhe të ushtrojnë presion maksimal ndaj regjimit dhe mbështetësve të tij për të ndaluar agresionin e tyre”, shtoi Çavuşoğlu.
Të hënën, pesë ushtarë turq u martirizuan dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm nga forcat e regjimit të Asadit në Idlib, pas një sulmi të ngjashëm javën e kaluar ku ranë dëshmorë shtatë ushtarë dhe një kontraktues civil që punonte për ushtrinë turke.
Trupat turke janë vendosur në Idlib, e cila është e shpallur si zonë e deeskalimit, në bazë të një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Rusisë për monitorimin e armëpushimit.
Pas sulmit, Turqia u kundërpërgjigj duke goditur një sërë objektivash dhe duke neutralizuar mbi 200 trupa të regjimit të Asadit.
Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta kthejnë Idlibin në një zonë deeskalimi, në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.
Megjithatë, më shumë se 1.800 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe aleatëve që nga ajo kohë, duke shkelur armëpushimin e vitit 2018 dhe atë që filloi më 12 janar.
Më shumë se 1,7 milion sirianë kanë ikur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive gjatë vitit të kaluar.
Turqia mbetet vendi me numrin më të madh të refugjatëve, duke strehuar më shumë se 3,7 milionë migrantë që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011.