Turqia neutralizon terroristë të PKK-së në Irak dhe Siri

Forcat Turke të Sigurisë “neutralizuan” të paktën dy terroristë të PKK-së në veri të Irakut, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me punën e koordinuar të Forcave të Armatosura Turke dhe Organizatës së Inteligjencës Kombëtare, dy terroristë të PKK-së u neutralizuan në një operacion të mbështetur nga ajri në rajonin Metina në veri të Irakut”, tha ministria në një deklaratë.

Autoritetet turke shpesh përdorin termin “të neutralizuar” me çka nënkupton se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose u kapën.

Terroristët e PKK-së shpesh përdorin Irakun verior për të planifikuar sulme ndërkufitare terroriste në Turqi.

Përmes një njoftimi tjetër, Ministria turke e Mbrojtjes gjithashtu ka bërë të ditur se ka neutralizuar të paktën një pjesëtar të organizatës terroriste PKK/YPG në veri të Sirisë.

“Një terrorist i YPG/PKK-së, i cili ishte duke planifikuar një sulm në zonën e Operacionit Mburoja e Eufratit, u neutralizua nga komandat tona heroike. Të gjitha masat do të vazhdojnë të merren për të siguruar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon”, thuhet në një postim të ministrisë në Twitter.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer tri operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori të terrorit dhe për të mundësuar zgjidhjen paqësore të krizës nga vendasit: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e afro 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së.