Turqia neutralizoi 184 terroristë të YPG/PKK-së muajin e kaluar

Forcat turke të sigurisë gjatë muajit të fundit neutralizuan gjithsej 184 terroristë të YPG/PKK-së në Sirinë veriore, përtej kufirit jugor të Turqisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Terroristët e YPG/PKK-së, të cilët përpiqen të sulmojnë dhe të infiltrohen për të prishur mjedisin e krijuar të paqes dhe stabilitetit, janë neutralizuar nga komandot tanë heroikë. Në këtë kuadër, 184 terroristë janë neutralizuar në muajin e fundit”, tha ministria në një deklaratë.

Autoritetet turke shpesh përdorin fjalën “neutralizim” për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.

Duke nënvizuar se kujdesen shumë për të mos dëmtuar asnjë civil në rajon, deklarata shtoi se deri më sot në total 348 terroristë janë neutralizuar gjithashtu në operacionet ndërkufitare “Kthetra” të Turqisë në Irakun verior.

Operacionet e Turqisë “Kthetra-Tigër” dhe “Kthetra-Shqiponjë” filluan në qershor për të ofruar sigurinë e popullit dhe kufijve turq duke neutralizuar kërcënimin e PKK-së dhe grupeve të tjera terroriste që shpesh përdorin Irakun e veriut për të planifikuar sulme ndërkufitare.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer operacione të suksesshme kundër terroristëve përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Grupet terroriste, veçanërisht YPG/PKK, ndonjëherë përpiqen të depërtojnë dhe sulmojnë këto zona për të prishur paqen dhe stabilitetin e vendosur nga Turqia.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Operacionet e brendshme antiterroriste

Në muajin e fundit, në kuadër të operacioneve të brendshme antiterroriste, 80 terroristë janë neutralizuar në 34 operacione, përfshirë tetë operacione të mëdha dhe 26 të mesme, thuhet në deklaratë.

Që nga tentimi i dështuar i grushtit të shtetit të vitit 2016 nga grupi terrorist FETO, “si pjesë e luftës kundër FETO-s, 20.564 pjesetarë janë pushuar”, tha ministria gjithashtu.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA Fetullah Gulen orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik 2016, e cila la 251 persona të vdekur dhe rreth 2.200 të plagosur.

Ankaraja akuzon gjithashtu FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për përmbysjen e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.