Turqia mirëpret marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Libanit dhe Izraelit, tha sot Ministria e Jashtme e vendit, transmeton Anadolu.
“Mirëpresim rezultatin pozitiv të negociatave për arritjen e një armëpushimi në Liban dhe shpresojmë që armëpushimi të jetë i përhershëm”, tha Ministria në një deklaratë.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion mbi Izraelin që të respektojë plotësisht armëpushimin dhe të kompensojë dëmin që ka shkaktuar në Liban”, thuhet në deklaratë, e cila thekson gatishmërinë e Ankarasë “për të ofruar mbështetjen e nevojshme për vendosjen e paqes së brendshme në Liban”.
“Shfrytëzojmë këtë rast për të kujtuar se për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal, duhet të shpallet një armëpushim i përhershëm dhe gjithëpërfshirës në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur dhe Izraeli duhet të ndërpresë politikat e tij agresive”, shtoi Ministria e Jashtme.
Armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit, i ndërmjetësuar me përpjekjet diplomatike të SHBA-së dhe Francës, hyri në fuqi në orën 4:00 të mëngjesit me kohën lokale.
Grupi libanez Hezbollah nisi një seri sulmesh me raketa balistike, predha dhe dronë mbi Izraelin në tetor të vitit të kaluar në solidaritet me popullin e Gazës dhe për të bërë presion ndaj Izraelit për një armëpushim në enklavën e rrethuar bregdetare.
Ndërsa lufta ndërkufitare vazhdonte, Izraeli në shtator të këtij viti nisi sulme masive ajrore në gjithë vendin e vogël mesdhetar kundër atyre që pretendonte se ishin objektiva të Hezbollahut. Në tetor, ai zgjeroi ofensivën me një pushtim tokësor të Libanit.