Turqia kundërshton fjalën “dënim” të BE-së mbi Ajasofjan

Turqia me vendosmëri ka kundërshtuar fjalën “dënim” të Bashkimit Evropian (BE) mbi vendimin e vendit për kthimin e Ajasofjas përsëri në xhami, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia kundërshton fjalën ‘dënim’ të përdorur nga BE-ja për kthimin e Ajasofjas në xhami”, tha ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një takimi me homologun e tij nga Malta.

Duke iu referuar trashëgimisë mauriane të shekullit të tetë të vendit anëtar të BE-së, Spanjës, Çavuşoğlu theksoi se “në Spanjë ka disa xhami që u shndërruan në kisha”, duke kritikuar standardet e dyfishta të bllokut.

Të premten, një gjykatë turke anuloi një dekret të kabinetit të vitit 1934 që e kishte shndërruar Ajasofjan në një muze, veprim i cili i hapi rrugë përdorimit të Ajasofjas përsëri si xhami pas një periudhe 85-vjeçare. Para vitit 1934, Ajasofja ishte një xhami për pothuajse 500 vite. 

Në një takim të ditës së djeshme, kryediplomatët e vendeve të BE-së dënuan këtë veprim. 

Turqia po ashtu ka kritikuar përpjekjet e jashtme për të gjykuar vendimin e saj për Ajasofjan, duke theksuar se ato janë përpjekje për të shkelur sovranitetin e saj mbi një çështje të brendshme turke.

Duke folur me ministrin Çavuşoğlu, Evarist Bartolo, që përfaqëson vendin anëtarë të BE-së, Malta, një komb afër bregdetit të Afrikës së Veriut, komentoi embargon e armëve të BE-së në Libinë e afërt, duke theksuar se qasja e BE-së ndaj vendit të lodhur nga lufta duhet të bazohet në një qasje të drejtë e cila është e vlefshme për të gjitha palët.

Më 31 mars, BE-ja filloi operacionin Irini për të zbatuar embargon e armëve të OKB-së në palët ndërluftuese të Libisë.

Megjithatë, operacioni përqendrohet kryesisht në aktivitetet detare në Mesdhe, përderisa pala e kryekomandantit luftarak, Khalifa Haftar, armik i administratës legjitime libiane, sipas kryeministrit libian, Fayez al-Sarraj, vazhdon të marrë armë dhe municione kryesisht nga ajri dhe toka.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-së, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat besnike të Haftar-it.

OKB e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga kryeministri al-Sarraj si autoritet legjitim të vendit.