Në bazën e KFOR-it në Prishtinë është mbajtur ceremonia përkujtimore për rreshterin turk, Hüseyin Kutlu, i cili ka humbur jetën gjatë aktiviteteve të kërkimit të minave në qytetin e Dragashit më 22 shtator 1999, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadorja e Republikës së Turqisë, Kıvılcım Kılıç, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendëskomandanti i KFOR-it në Kosovë, Christian Riener, komandanti i KFOR-it turk në Kosovë, koloneli Ihsan Tavazar si dhe shumë oficerë dhe ushtarët turq në Kosovë.
Ambasadorja Kılıç e cila mbajti një fjalim në ceremoni, falënderoi zëvendëskomandantin e KFOR-it në Kosovë, Christian Riener, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni për solidaritetin e treguar, duke theksuar se të gjithë ushtarët po bëjnë një punë të mrekullishme në Kosovë.
Ajo tha se rreshteri Hüseyin Kutlu gjatë karrierës së tij gjithmonë ka qenë i angazhuar maksimalisht në ushtrinë turke dhe në NATO, duke u karakterizuar me guximin, devotshmërinë dhe vendosshmërinë që e kishte deri në rënien e tij 18 vite më parë.
“Uniteti dhe solidariteti që tregojmë sot këtu do ta mbajë të gjallë kujtimin për të përgjithmonë. Kjo ceremoni gjithashtu është edhe një dëshmi për vendosmërinë tonë si shtet i NATO-s për t’i përkujtuar sakrificat e ushtarëve tanë. Rënia e tij dhe sakrifica që nga fillimi i detyrës së rreshterit turk Hüseyin Kutlu në emër të NATO-s në Kosovë, simbolizon lidhjet vëllazërore që i ndajmë me popullin e Kosovës”, tha ambasadorja Kılıç.
Ambasadorja Kılıç duke theksuar se asgjë nuk do ta lehtësoj dhimbjen që kemi për dëshmorët dhe martirët, tha se Turqia si aleat i NATO-s do të vazhdojë të përkrahë KFOR-in për një Kosovë demokratike, multietnike dhe paqësore.