“Turqia ka qenë vazhdimisht në solidaritet me Shqipërinë dhe shqiptarët”

Punimet për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit, i cili ndërtohet me mbështetjen financiare të Republikës së Turqisë, vazhdojnë prej disa javësh, ndërkohë, kantieri është vizituar nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe drejtues të Bashkisë së Fierit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Yörük realizoi një takim me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, në ambientet e këtij institucioni, dhe më pas inspektuan punimet në kantierin e ndërtimit të spitalit.

Në një prononcim për mediat pas vizitës në kantier, ambasadori Yörük, duke iu referuar vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Turqi në fillim të janarit dhe deklaratës së përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, tha se “Mund të them që kjo vizitë nga pikëpamja e marrëdhënieve mes dy shteteve është shumë e rëndësishme”.

“Etapat kryesore të projektit të spitalit pothuajse janë drejt përfundimit dhe kjo është një gjendje shumë e kënaqshme. Referuar informacioneve të autoriteteve të kompanisë YDA, etapat e projektit normalisht janë duke vazhduar. Uroj dhe shpresoj që ky projekt i spitalit rajonal të Fierit që nga mesi i muajit prill të këtij viti të bëhet funksional dhe të miradministrohet që të jetë në shërbim të popullit, të qytetit të Fierit”, theksoi ambasadori turk.

Ai tha se Turqia vazhdon t’u qëndrojë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve ashtu siç u ka qëndruar deri tani, duke shtuar se “Turqia dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë, kështu që Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë”.

“Normalisht, Turqia dhe turqit nuk flasin, por zbarkojnë në terren dhe janë ata që veprojnë, në mënyrën më praktike mundohen që të japin rezultatin përfundimtar. Turqit dhe shqiptarët kanë shumë lidhje shekullore të vjetra të cilat kanë qenë pranë njëri-tjetrit krah më krah. Ne si Turqi kemi qenë vazhdimisht në solidaritet me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kemi qëndruar pranë gjithmonë me përkrahjen dhe ndihmën tonë. Projekti i këtij spitali rajonal është produkt i kësaj vëllazërie dhe bashkëjetese shekullore që kemi pasur”, u shpreh më tej ambasadori turk.

Kryebashkiaku Subashi, në prononcimin për mediat, tha se me ambasadorin turk shkëmbyen mendime se si do të vazhdojnë në të ardhmen të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha të ndryshme, kryesisht në sektorin e bujqësisë.

“I shpreha falënderimet e veçanta ambasadorit dhe nëpërmjet ambasadorit qeverisë turke dhe padyshim presidentit Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë, sidomos në këto kohë të vështira që ne po kalojmë për shkak të tërmetit dhe për shkak të pandemisë. Sigurisht, shembulli më kuptimplotë i kësaj ndihme të madhe është financimi dhe dhurata që po i bëhet Shqipërisë dhe veçanërisht gjithë trevës tonë për ndërtimin e këtij spitali të mrekullueshëm rajonal”, u shpreh kreu i Bashkisë së Fierit.

Ai theksoi më tej se “Edhe në emër të gjithë qytetarëve të Fierit dua ta falënderoj publikisht qeverinë turke, presidentin Erdoğan për gjithë këtë vepër fantastike që po ndërton që shumë shpejt do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë banorët”.

Kujtojmë se ndërtimin e një spitali në Fier e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, ndërkohë, punimet po realizohen nga kompania YDA Group.