Turqia jep shenjë për bashkëpunim të fuqishëm ekonomik mbi rindërtimin e Sirisë

Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat

Türkiye ka dhënë shenjë për bashkëpunim të fortë ekonomik për rindërtimin e Sirisë pasi regjimi 61-vjeçar i Partisë Baath u rrëzua në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, duke lënë pas një vend me plotë probleme ekonomike dhe infrastrukturore, transmeton Anadolu.

Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, odat e biznesmenëve dhe industrialistëve turq, si dhe organizatat joqeveritare në ekonomi dhe tregti u takuan për të diskutuar rindërtimin e Sirisë dhe forcimin e ekonomisë dhe tregtisë së saj.

Ministria e Tregtisë e Türkiyes njoftoi se krijimi i një strukture të qëndrueshme shtetërore, si dhe paqes dhe sigurisë në Siri ishin në krye të agjendës së takimit.

Ministria turke tha se pas luftës 13-vjeçare duhet të krijohet një bashkëpunim i fortë midis Türkiyes dhe Sirisë për të arritur në një mjedis të qëndrueshëm politik dhe ekonomik në periudhën e ardhshme.

Bashar al-Asad, lideri i Sirisë për pothuajse 25 vite, më 8 dhjetor të vitit 2024 u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund kontrollit të Partisë Baath.

Sulmet e regjimit Baath ndaj infrastrukturës dhe popullsisë së Sirisë për ta mbajtur pushtetin kanë lënë pas një ekonomi në rrëmujë, ndërsa lufta civile që filloi në vitin 2011 dëmtoi më tej zhvillimin dhe burimet njerëzore të vendit.

Lufta shkatërroi shtëpi, biznese, shkolla, shpërndarjen e energjisë elektrike, si dhe çoi në zhvendosjen e 6 milionë njerëzve në të gjithë globin dhe 7 milionë të tjerë brenda Sirisë.