Turqia inkurajohet që të përfshihet në operacionin për Mosulin

Ushtarët turq duhet të përfshihen në operacionin për çlirimin nga DEASH-i të qytetit të dytë irakian, Mosulit, deklaroi të mërkurën komandanti i një ushtrie që llogaritet degë e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), raporton Anadolu Agency (AA).

Komandanti i brigadës Sultan Murati, Shihli Shihli tha se është i shqetësuar për insistimin e milicëve shiite që ti bashkohen operacionit për çlirimin e Mosulit.

“Turqia duhet ti bashkohet operacionit për Mosulin sepse ka ushtarë të fortë dhe me përvojë”, tha Shihli, për të shtuar se Turqia asnjëherë nuk ka parashtruar kërkesa për të marrë naftë nga Mosuli.

“Iraku është shtet i pasur me naftë, por ne e dimë se Turqia nuk ka kërkesa për të marrë ndonjë nga zonat e pasura të Irakut”, tha më tej Shihli.

Ai paralajmëroi se nëse grupi i milicisë shiite, al-Hashd al-Shabi i bashkohet operacionit në Mosul, atëherë e ardhmja e Irakut dhe e paqes rajonale mund të rrezikohet.

Ankaraja në mënyrë të vazhdueshme ka paralajmëruar për rrezikun nga lufta sektare nëse lejohet hyrja e milicisë shiite në Mosulin kryesisht sunit.

Në disa pjesë të Irakut të cilat u çliruan nga DEASH-i siç janë Falluxha dhe Ramadi, ka pasur akuza për keqtrajtime të civilëve sunitë nga ana e luftëtarëve shiitë.