Turqia i shpëton 97 azilkërkues në ujërat kufitare me Greqinë

Roja bregdetare turke njoftoi se i ka shpëtuar 97 azilkërkues, të cilët ishin bllokuar në ujërat e Detit Egje.

Autoritetet turke njoftuan përmes një postimi në Twitter se azilkërkuesit e shpëtuar ndodheshin në tri barka, të cilat ishin dëmtuar nga roja bregdetare greke.

Ndonëse Ankaraja nuk është duke i penguar azilkërkuesit që të largohen nga Turqia, kalimi nëpër Detin Egje nuk lejohet për shkak të mungesës së sigurisë, thuhet në njoftimin e organeve turke.

Në kohën kur azilkërkuesit u kthyen drejt Turqisë, autoritetet greke ua kishin ndalur motorët barkave ose i kishin shpuar ato, duke i lënë refugjatët të pashpresë në mes të detit, tha roja bregdetare turke.

Sipas të dhënave zyrtare, 3425 refugjatë janë shpëtuar nga roja bregdetare turke gjatë vitit 2019, ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë shpëtuar 1707 të tjerë.

Tash për tash, në Turqi janë strehuar më shumë se 3 milionë refugjatë sirianë, shkruan “Anadolu”.