Turqia “hap dyert”, mijëra emigrantë përleshen me policinë greke

Pas vendimit të qeverisë turke për të hapur kufijtë për emigrantët sirianë që iu drejtohen vendeve të Europës, janë regjistruar skena dhune në kufirin mes dy vendeve.

Policia kufitare greke u përlesh me qindra emigrantë sirianë që mësynë kufirin në Kastania ditën e shtunë dhe për këtë arsye u detyrua të përdorte dhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Greqia, e cila ka një marrëdhënie historike të tensionuar me Turqinë, akuzon Ankaranë zyrtare se e ka organizuar situatën me emigrantët në kufi dhe premtoi se do t’i mbajë ata jashtë territorit të vendit.

Nga ana tjetër, Turqia deklaroi të enjten se nuk do të përballet më me fluksin e azilkërkuesve sirianë dhe do t’i lejojë ata të kalojnë drejt kufijve europianë, pas sulmit ajror në Idlib ku humbën jetën 33 ushtarë turq.

“Emigrantët nuk erdhën në këtë pikë kufitare me mendjen e tyre. Ata u dëbuan nga fqinjët tanë turq dhe u përdorën prej tyre”, u shpreh ministri i Rendit Publik, Michalis Chrysohoidis.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas u shpreh se Greqia u përballë me një tentativë masive dhe ilegale për thyerjen e kufirit dhe se forcat e policisë ja arritën të pengonin më shumë se 4000 persona që të hyjnë në territorin grek.

Por, e menjëhershme ka qenë përgjigjja e Turqisë ndaj autoriteteve greke. Në një konferencë për shtyp, ministri i Jashtëm, Cavusoglu akuzoi Greqinë për shkelje të ligjit ndërkombëtare duke hedhur gaz lotsjellës ndaj qindra të pafajshmëve që ishin mbledhur në portat e saj.

28