Zëvendëskryetari i Përgjithshëm dhe Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Ömer Çelik bëri deklarata në selinë e partisë në Ankara ndërkohë që brenda vazhdonte mbledhja e Këshillit Qendror Vendimmarrës dhe Drejtues (MKYK), kryesuar nga Presidenti dhe Kryetari i Përgjithshëm i AK Partisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).
Duke iu referuar deklaratave të forta të presidentit Erdoan për armatosjen e ishujve grekë (në detin Egje) nga Greqia, bërë gjatë stërvitjes ushtarake “EFES-2022”, Çelik tha:
“Këtu është rikthyer edhe një herë në punë mekanizmi propagandistik i Greqisë, i cili i deformon këto deklarata dhe shkel ligjin. Ne e themi gjithmonë se Greqia është fqinji ynë; ne e kemi aftësinë, kemi akumulimin historik për t’i zgjidhur në tryezë problemet me fqinjin tonë dhe jemi të hapur për dialog, por përfshirja e vazhdueshme e vendeve të treta nga Greqia dhe sjellja e shkeljeve të ligjit në rendin e ditës si situata de facto, fatkeqësisht e pengon këtë proces që të ecë në kahun pozitiv.”
Ndërsa për armatosjen e disa ishujve nga Greqia në kundërshtim me marrëveshjet, zëdhënësi Çelik bëri këtë vlerësim:
“Tani, sa herë që e ftojmë [Greqinë] të respektojë ligjin dhe herë flasim për zgjidhjen e këtij problemi në tavolinë, fatkeqësisht Greqia përpiqet ta kthejë këtë në një propagandë të pabazë duke thënë: “agresiviteti i fqinjit tonë”, “ëndrrat e Turqisë për Perandorinë Osmane” apo “kërcënimi i Turqisë ndaj Greqisë” dhe këtë e bën për t’u dërguar mesazh vendeve të tjera.
“Greqia është pala që shkel ligjin. Ne jemi ata që themi: Ta zgjidhim këtë çështje në tavolinë, ta zgjidhim këtë çështje me rrugë diplomatike dhe mes dy vendeve. Por kur ju përparoni drejt paligjshmërisë duke pezulluar çdo sugjerim për zgjidhje në tavolinë, duke krijuar një situatë de facto në terren, patjetër që edhe vendi ynë do ta shfaqë hapur dhe qartë praninë e tij reale në terren. Në fakt, baza e diskutimit këtu është se ndjeshmëria e Turqisë për Atdheun e Kaltër është në përputhje me përcaktimin e saj për Atdheun e Kaltër”, tha zëdhënësi i AK Partisë. /trt