Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turqia e trishtuar nga ngjarjet e dhimbshme në rrugët migratore

Turqia e trishtuar nga ngjarjet e dhimbshme në rrugët migratore

Turqia i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për shkaqet themelore të lëvizjeve migratore të përziera dhe për të ndarë përgjegjësinë e barrën në mënyrë të drejtë.

Ministria e Punëve të Jashtme publikoi një deklaratë me shkrim, përmes të cilës shprehu keqardhje të thellë që një anije me 127 emigrantë, kryesisht nga vendet e Afrikës Nënsahariane, u fundos në Mesdhe duke shkaktuar vdekjen e 43 emigrantëve, ndërkohë që 84 të tjerë u shpëtuan.

“Kjo tragjedi në Mesdhe nuk është e para dhe s’do të jetë as e fundit. Turqia ndjen trishtim nga këto ngjarje të dhimbshme dhe humbje (jetësh) në rrugët migratore. Plot 866 emigrantë kanë humbur jetën në Mesdhe gjatë vitit 2021. Shpëtimi i jetës në det është një përgjegjësi si ndërgjegjësore ashtu edhe ligjore për shtetet”, thuhet në deklaratën e MPJ turke.

Sipas saj, mungesa e koordinimit të përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit në det brenda Bashkimit Evropian dhe përpjekja për të transferuar përgjegjësinë ndërkombëtare në vendet transit, janë një kërcënim ndaj të drejtës së emigrantëve për të jetuar.

Pasi thekson se paqëndrueshmëria, konfliktet dhe varfëria që vazhdojnë në Afrikën Nënsahariane, Afganistan dhe Siri janë shkaku i lëvizjeve migratore të përziera, deklarata me shkrim e MPJ turke vijon me këto fjalë: “Gjetja e zgjidhjes dhe parandalimi i emigracionit janë të pamundura pa eliminuar shkaqet e emigrimit. Në të kundërt, zgjidhjet vetëm sa do të rrisin vuajtjet e emigrantëve/azilkërkuesve dhe vdekjet në det.”

“Me këtë rast, ne e ftojmë bashkësinë ndërkombëtare edhe një herë për t’u gjetur zgjidhje problemeve burimore të lëvizjeve migratore të përziera në rajonin tonë dhe për të ndarë përgjegjësitë e barrën në mënyrë të drejtë”, potencohet në fund të deklaratës me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme. /trt

Exit mobile version