Turqia e cilëson si “hap të rëndësishëm” rezolutën e miratuar në KS-OKB për ar’mëpushim në Ga’za

Ministria e Jashtme e Turqisë e cilësoi si një “hap të rëndësishëm në aspektin për përfundimin e masakrës në Gaza” rezolutën që u miratua dje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për sigurimin e armëpushimit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Jashtme në lidhje me projekt-rezolutën e miratuar nga KS-OKB thuhet se vendimi është hap i rëndësishëm. “Rezoluta nr. 2735 që u miratua në KS-OKB më 10 qershor në lidhje me vendosjen e një armëpushimi në Gaza, e vlerësojmë si një hap të rëndësishëm për t’i dhënë fund masakrës në Gaza”, thuhet më tej.

Ndër të tjera në deklaratën ku nënvizohet se mirëpritet qasja “konstruktive dhe pozitive” e Hamasit ndaj planit të armëpushimit thuhet se: “Është kusht që Izraeli të premtojë se do t’i përmbahet armëpushimit të përhershëm dhe që të gjithë elementët e rezolutës në fjalë të zbatohen plotësisht. Turqia do të vazhdojë të ofrojë kontribut ndaj hapave që do të sigurojnë përfundimin në mënyrë të përhershme të luftës, tërheqjen e Izraelit nga e gjithë Gaza, lirimin reciprok të pengjeve dhe të burgosurve, rikthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gaza, dërgimin e pandërprerë dhe adekuat të ndihmës humanitare dhe rindërtimin e Gazës”.

Në KS-OKB u miratua projekt-rezoluta e paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe e cila në fazën e parë kërkon mbështetje ndaj propozimit me 3 faza që parashikon armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Në votimin në të cilin Rusia abstenoi, projekt-rezoluta e paraqitur nga SHBA-ja mori 14 vota pro në KS-OKB-në me 15-anëtarë.

Në rezolutën ku thuhet se Izraeli ka pranuar propozimin e Bidenit, iu bë thirrje Hamasit të pranojë dhe zbatojë propozimin.

Në rezolutë, në përputhje me propozimin me 3 faza, vihet në dukje se në fazën e parë do të sigurohet armëpushim i menjëhershëm, lirimi i grave, pengjeve të moshuar dhe të plagosur, shkëmbimi i pengjeve palestinezë, tërheqja e forcave izraelite nga zonat e banuara në Gaza, rritja e ndihmës humanitare, rindërtimi i shërbimeve bazë, kthimi i civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre në të gjithë enklavën, përfshirë veriun e Gazës dhe sigurimi i kontributit ndërkombëtar të nevojshëm për strehimin.