Turqia do të presë takimin e 51-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-së në Stamboll

Sesioni i 51-të i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) do të mbahet në Stamboll më 21-22 qershor, nën kryesimin e Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, bënë të ditur burime nga Ministria e Jashtme turke.

Në kuadër të përgatitjeve për konferencën e nivelit të lartë, është planifikuar që më 27 dhe 29 prill të mbahet një takim i zyrtarëve të lartë në selinë e OBI-së në Xheda, Arabinë Saudite.

Zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Nuh Yilmaz, do të marrë kryesimin e takimit nga kreu i delegacionit të Kamerunit dhe pritet të mbajë fjalën hyrëse, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OBI-së, Hissein Brahim Taha, gjithashtu do të drejtohet me një fjalim para pjesëmarrësve.

Gjatë takimit dyditor në Xheda, përfaqësuesit e lartë të 57 shteteve anëtare do të diskutojnë projekt-rezolutat për çështje të ndryshme dhe do të shqyrtojnë raportet mbi politikat dhe parimet e përgjithshme të organizatës. Projekt-rezolutat e miratuara do t’i paraqiten për miratim sesionit të Këshillit në qershor.

Me mikpritjen e takimit në Stamboll, Turqia do të marrë kryesimin njëvjeçar të OBI-së – organizatës së dytë më të madhe ndërqeveritare pas Kombeve të Bashkuara.

Turqia ka pritur më parë takime të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-së në vitet 1976, 1991 dhe 2004.