Në fillim të qershorit, një kontingjent i ushtarëve turq u nisën drejt Kosovës.
Krejt kjo në kuadër të misionit të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, pas ngjarjeve të fundit në veriun e Kosovës.
E nga vjeshta e këtij viti, për herë të parë, edhe komandanti i KFOR-it, do të jetë nga ky shtet.
Këtë për Tëvë1, e kanë konfirmuar nga vet KFOR-i.
“Turqia pritet të marrë komandën e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Kosovë në një rotacion të planifikuar këtë vjeshtë”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni.
E ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë se shteti turk e njeh mjaftë mirë situatën në rajon.
“Edhe nëse vjen nga Turqia, është e dobishme për Kosovën, sepse oficerët turq e njohin realitetin ne Kosovë dhe në Ballkan. Sa i përket Kosovës, ne e mirëpresim secilin komandant. Ne asnjëherë s’kemi pas probleme me KFOR-in”, deklaroi Veseli.
Koloneli në pension, thotë se përkatësia etnike e komandantit të KFOR-it, nuk ndikon në planin operacional të tyre.
“Nuk ka të bëj se prej cilit shtet vjen, është një vazhdimësi e komandantëve që kanë ardhur, ka pasur shumë nga Italia, ka pas nga gjermania dhe së fundi ka qenë një gjeneral hungarez…”, shtoi Veseli.
Mendim të njëjtë ndan edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi.
“Udhëheqësi eventual nga Turqia, nuk do të përbëj ndonjë ndryshim por i njëjti do të zbatoj urdhrat dhe përgjegjësit të cilat do të vijnë nga qendra kryesore e NATO-s dhe të cilat veprojnë në bazë të informacioneve të inteligjencës të NATO-s që i grumbullon në Kosovë”, deklaroi Elezi.
Ndryshe, komandanti aktual i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, u emërua në këtë pozitë, tetorin e vitit të kaluar.