Turqia dhe Spanja dakord të thellojnë lidhjet ekonomike dhe tregtare

Zyrtarët e lartë të Turqisë dhe Spanjës sot janë dakorduar për të forcuar tregtinë dhe investimet dypalëshe, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke biseduar në një takim virtual të Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar, ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, tha se dy vendet janë duke kërkuar të bashkëpunojnë dhe inkurajojnë investimet e ndërsjella në vendet ku janë aktive në mënyrë të veçantë.

“Mund të forcojmë tregtinë e përbashkët në sektorë të ndryshëm si automobilistikë, veshmbathje, hekur dhe çelik, elektronikë, mobilje dhe ushqim”, tha Pekcan.

Duke theksuar se lidhjet e tyre datojnë që para një shekulli e gjysmë, Pekcan vlerësoi qasjen dhe besimin e mirë të Spanjës në lidhje me bashkëpunimin me Turqinë.

Ajo nënvizoi rëndësinë e sektorit të turizmit dhe shëndetësisë për dy vendet.

“Është shumë e rëndësishme rritja e investimeve dypalëshe dhe bashkëpunimi në shërbimet e ndërtimit të vendeve të tjera”, theksoi Pekcan.

Pekcan po ashtu u bëri thirrje kompanive spanjolle që të bëjnë oferta për tenderë në linjën hekurudhore dhe metrot me shpejtësi të lartë në Turqi, duke vlerësuar njohuritë dhe përvojat e tyre.

Nga ana e saj, ministrja spanjolle e Industrisë, Tregtisë dhe Turizmit, Maria Reyes Maroto, shprehu gatishmërinë e saj për të thelluar lidhjet e tregtisë dhe investimeve me Turqinë.

“Takimet tona të mëparshme në internet gjatë pandemisë treguan soliditetin e lidhjeve tona”, tha ajo.

Ajo theksoi se ekonomia e gjelbër dhe ajo dixhitale janë thelbësore për transformimin e dy vendeve.

“Kompanitë tona mund të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre në këto fusha”, theksoi Maroto.

Duke theksuar se Turqia dhe Spanja kanë nevojë për turizëm të sigurt për të siguruar lëvizshmëri, Maroto tha: “Mund të krijojmë projekte të rimëkëmbjes dhe investimeve në turizëm dhe shëndetësi.”