Krijimi i linjës ajrore shqiptare me ndihmën e Turqisë, një nismë kjo e bërë publike muaj më parë nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka qenë në qendër të diskutimeve të takimit që ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati zhvilloi me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu.
Takimi mes dy ministrave u zhvillua gjatë punimeve të Konferencës së Ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore që po mbahet në Bled të Sllovenisë.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme thuhet se dy ministrat ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin e dy vendeve, në një sërë organizatash ndërkombëtare dhe rajonale, sidomos ato që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë.
Ndërkaq në “Twitter”-in e tij, ministri i Jashtëm turk, nënvizon se në takim u diskutuan marrëdhëniet Shqipëri-Turqi si dhe situata në rajonin tonë.