Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, të dielën është pritur në Stamboll nga homologu i tij turk Mehmet Cait Turhan.
Me këtë rast, krerët e infrastrukturës së dy vendeve nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim në Veprimtari Kërkimore – Zhvillimore në Fushat e Transportit.
Kjo marrëveshje sjell një numër aktivitetesh prej të cilave Kosova do të përfitojë nga përvoja turke në transportin rrugor dhe aviacion, përmes shkëmbimit të informacioneve mbi politikat sektoriale, legjislacionin primar e sekondar të të dyja vendeve, vizita të zyrtarëve e ekspertëve trajnues dhe organizime të tjera që kanë për qëllim ngritjen e performancës së dikastereve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Në takimin mes Lekajt dhe Turhan u diskutua rreth të arriturave dhe sfidave të transportit të Kosovës. Lekaj theksoi lidhjen e qyteteve të Kosovës me rrugë të standardizuara dhe infrastrukturë përcjellëse moderne, ndërkaq vlerësoi se transporti hekurudhor ka nevojë për investime.
Në këtë pikë, Turhan shprehi gatishmërinë për ndihmë financiare dhe burime të nevojshme njerëzore.Lekaj po qëndron në Stamboll me ftesë të shtetit turk për pjesëmarrje në ceremoninë e hapjes së aeroportit të ri të Stambollit që do të zë vend të hënën.