“Turqia dhe Iraku po përgatiten për vizitën historike të presidentit Erdoğan në Bagdad”

Turqia dhe Iraku po përgatiten për vizitën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Bagdad pas Ramazanit, duke shënuar një moment kyç në marrëdhëniet e tyre dypalëshe, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Turqia dhe Iraku, të dyja palët konfirmuan se do të bëhen të gjitha përpjekjet për suksesin e vizitës “historike” të presidentit Erdoğan në Irak pas muajit të Ramazanit.

Gjithashtu, të dy palët vendosën gjithashtu të krijojnë komitete të përbashkëta për të punuar në fushat e kundërterrorizmit, tregtisë, bujqësisë, energjisë, ujit, shëndetësisë dhe transportit, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, thuhet në deklaratë.

Turqia shprehu kënaqësinë me vendimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Irakut për të caktuar grupin terrorist PKK një organizatë të ndaluar në Irak, theksohet më tej.

Deklarata erdhi pasi ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua sot me homologun e tij irakian Fuad Hussein në Bagdad.

Gjatë vizitës së Fidanit në kryeqytetin irakian u mbajt një takim konsultativ i orientuar drejt sigurisë.

Në takim morën pjesë gjithashtu ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, drejtori i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MİT) İbrahim Kalın dhe zëvendësministri i Brendshëm Münir Karaloğlu.