Turqia dërgon ndihma për qytetarët e Azerbajxhanit

Në mes të luftimeve të vazhdueshme në Malësinë e Karabakut, të enjten nga Stambolli do të niset një grup i ri ndihmash humanitare për Azerbajxhanin, bëri të ditur sot Gjysmëhëna e Kuqe Turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Njëmbëdhjetë ngarkesa me maune përfshijnë veshje dimërore, batanije, sende të higjienës personale, materiale pastrimi si dhe dezinfektues”, tha ndihmësi i drejtorit, Ismail Hakki Turunc.

Ai informoi se organizata po punon në 140 vende dhe falënderoi ata që iu përgjigjën thirrjeve për donacione.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Përleshje të reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tre armëpushime humanitare që nga 10 tetori.

Rezoluta të shumta të OKB-së kërkojnë tërheqjen e forcave okupuese.

Përderisa fuqitë botërore kanë bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm, Turqia ka mbështetur të drejtën e Bakut për vetëmbrojtje.