Turqia dënon vendimin e Bahreinit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin

Ministria e Jashtme e Turqisë dënoi vendimin e Bahreinit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e ministrisë thuhet se ky vendim është në kundërshtim me angazhimet në kuadër të Nismës Arabe për Paqe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam.

“E presim me shqetësim dhe e dënojmë ashpër vendimin e Bahreinit i cili duke u rendur pas Emirateve të Bashkuara Arabe vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin në kundërshtim me angazhimet në kuadër të Nismës Arabe për Paqe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam”, thuhet në deklaratën e ministrisë turke.

Sipas ministrisë, hapi në fjalë do të godasë punimet për mbrojtjen e kauzës së Palestinës. “Kjo do të inkurajojë edhe më shumë Izraelin që të vazhdojë përpjekjet e tij për zbatimet jolegjitime kundër Palestinës dhe për ta bërë të përhershme okupimin e tij në territoret palestineze”, thuhet më tej.

“Rruga e vetme për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme është që çështja palestineze të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në kuadër të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara. Tolerimet e papërgjegjshme të dhëna me interesa të ngushta si rezultat i presionit dhe imponimit të aktorëve të jashtëm nuk mund ta eliminojnë ose zëvendësojnë këtë realitet”, theksohet në deklaratën e ministrisë.