Turqia dënon sulmin terrorist në Arabinë Saudite

Turqia dënon sulmin e armatosur në pikën e kontrollit të sigurisë në pallatin mbretëror, në qytetin Xheda të Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë thuhet: “Dënojmë aktin terrorist të kryer në qytetin Xheda të Arabisë Saudite. Mëshira e Zotit qoftë me punonjësit e sigurisë të cilët humbën jetën gjatë këtij sulmi mizor. Urojmë shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Po ashtu shprehim ngushëllimet tona për qeverinë mike dhe për popullin e Arabisë Saudite”.

Në një deklaratë nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, gjeneral major Mansur et-Turki, e cila ishte publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve saudite (SPA), thuhet se në sulmin e armatosur të kryer në pikën e kontrollit ku ndodheshin rojet e pallatit mbretëror Selam në qytetin Xheda humbën jetën 2 punonjës sigurie si dhe janë plagosur 3 punonjës të tjerë.

Po ashtu në deklaratë bëhet e ditur se sulmuesi ka qenë një qytetar saudit i moshës 28-vjeçare dhe se ishte vrarë në vendngjarje pas kundërpërgjigjes së rojeve.