Türkiye dënoi sot vendimin e Izraelit për të ndaluar aktivitetet e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në territoret e pushtuara palestineze, duke e quajtur këtë “shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”, transmeton Anadolu.
“Ne e dënojmë këtë hap, i cili shënon një fazë të re në politikat e okupimit dhe aneksimit të Izraelit që synojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga toka e tyre”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.
“Është gjithashtu evidente se, me këtë vendim, Izraeli kërkon të privojë refugjatët palestinezë nga e drejta e tyre për t’u kthyer në tokën e tyre”, shtoi ministria.
UNRWA, e themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1949 dhe që vepron me mbështetjen e fortë të shteteve anëtare të OKB-së, ofron ndihmë humanitare dhe shërbime thelbësore për miliona palestinezë në kushtet më sfiduese, thuhet në deklaratë.
Türkiye i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë UNRWA-n dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt paqes rajonale.
“Türkiye qëndron e palëkundur në mbështetjen e saj për UNRWA-n dhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit palestinez”, tha ministria.
Ndalesa, e cila hyri në fuqi sot, ndalon aktivitetin e UNRWA-s në atë që Gjykata e Lartë e Izraelit e quan “territor sovran i shtetit të Izraelit”. Kjo nuk përfshin Gazën dhe Bregun Perëndimor, por vlen për Kudsin Lindor të pushtuar.
Stafi ndërkombëtar i UNRWA-s në zyrën e Kudsit Lindor tashmë është evakuuar, sipas OKB-së.
Ligji izraelit ndalon gjithashtu kontaktet ndërmjet stafit të UNRWA-s dhe autoriteteve izraelite. Është e paqartë se si kjo mund të ndikojë në operacionet në të gjitha territoret palestineze.
Vitin e kaluar, Izraeli akuzoi stafin e UNRWA-s për pjesëmarrje në sulmet e 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas. Megjithatë, një hetim nga Zyra e OKB-së për Shërbimet e Mbikëqyrjes së Brendshme nuk ishte në gjendje të vërtetonte asnjë nga informacionet izraelite të përdorura për të mbështetur akuzat.