Turqia dënon “fuqishëm” sulmet terroriste në Kabul

Mevlüt Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, dënoi “sulmin e tmerrshëm terrorist” në kryeqytetin afgan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“I pikëlluar thellë nga humbja e jetëve pas sulmit të sotëm në Kabul. Dënoj fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm terrorist”, u shpreh Çavuşoğlu në Twitter, duke shtuar: “Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë të të plagosurve”.

Të paktën 25 persona u vranë dhe 90 u plagosën nga shpërthimet në dhe pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, bëri të ditur Al-Jazeera duke cituar talebanët.

Talebanët morën kontrollin mbi Kabulin në fillim të këtij muaji dhe mbi pjesën më të madhe të Afganistanit, por jo edhe mbi aeroportin.

Mediat amerikane cituan zyrtarët që raportuan se 10 trupa amerikane u vranë dhe tre të tjerë u plagosën.

Raportet e pakonfirmuara sugjerojnë se dy nga shpërthimet ishin rezultat i sulmeve vetëvrasëse.

Ndërkohë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, dënoi sulmin në Twitter: “Emirati Islamik dënon ashpër bombardimin e civilëve në aeroportin e Kabulit, i cili u zhvillua në një zonë ku siguria është në duart e forcave amerikane”.

“Emirati Islamik po i kushton vëmendje të madhe sigurisë dhe mbrojtjes së popullit dhe qarqet e liga do të ndalen rreptësisht”, shtoi ai.

Forcat amerikane e kanë nën kontroll aeroportin teksa vazhdojnë evakuimet përpara afatit të 31 gushtit.

Mijëra njerëz janë duke pritur në aeroport për evakuim, ndërsa turma të mëdha janë mbledhur jashtë territorit të aeroportit, duke kërkuar të futen brenda aeroportit dhe në këtë mënyrë të largohen nga vendi. /aa