Forcat turke të sigurisë kanë “neutralizuar” 2.195 terroristë këtë vit, sipas informacioneve të mbledhura nga brifingjet javore të Ministrisë së Brendshme të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet turke shpesh përdorin fjalën “neutralizuar” në deklaratat e tyre për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë vrarë ose kapur.
Forcat turke të sigurisë, përfshirë ato tokësore dhe forcat ajrore të ushtrisë turke, si dhe njësitë speciale të policisë dhe xhandarmëria, nga 1 janari deri më 25 dhjetor kryen gjithsej 50.682 operacione.
Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, një total prej 1.190 terroristësh janë vrarë, 521 janë kapur, ndërsa 464 të tjerë u dorëzuan tek forcat e sigurisë.
Gjashtëdhjetë e dy prej “të neutralizuarve” ishin në listën e terroristëve të kërkuar të Ministrisë së Brendshme, ndërsa 62 terroristë tjerë që nuk ishin në listë ishin në pozita të larta të organizatave terroriste.
Forcat turke të sigurisë arrestuan 19.759 të dyshuar të PKK-së, 4.522 të dyshuar të DEASH-it, 62.402 të dyshuar të organizatës terroriste FETO dhe 1.307 anëtarë të organizatave të ekstremit të majtë.
PKK-ja është e radhitur si një organizatë terroriste nga Turqia, si dhe nga SHBA-të dhe BE-ja. Në fushatën e saj terroriste më shumë se tre dekadashe kundër Turqisë, mbi 40.000 njerëz janë vrarë.
Sulmet terroriste u parandaluan
Që kur grupi rifilloi fushatën e armatosur në korrik të vitit 2015, më shumë se 1.200 persona, përfshirë personelin e forcave të sigurisë dhe civilët, kanë humbur jetën.
FETO e udhëhequr nga lideri i saj Fetullah Gulen me bazë në SHBA, orkestroi tentativën për grusht shteti në korrik të vitit 2016 në Turqi, e cila la 250 dëshmorë dhe rreth 2.200 të plagosur.
Grupi akuzohet për një fushatë të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.
Forcat e sigurisë gjithashtu penguan gjithsej 680 sulme të mundshme terroriste. Këtë vit 135 persona u bashkuan me grupin terrorist PKK, ndërsa 425 anëtarë të PKK-së u dorëzuan tek forcat turke të sigurisë.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Soylu tha se rekrutimi i PKK-së është në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në vitin 2016, grupit terrorist iu bashkuan 633 persona.
Përveç kësaj, forcat turke të sigurisë kanë kryer 117.909 operacione kundër drogës, në të cilat janë arrestuar 168.986 persona ku 13.921 prej tyre janë mbajtur në paraburgim.
Mbi 184 ton drogë narkotike në forma të ndryshme dhe mbi 28 milionë drogë opiate u konfiskuan nga forcat turke të sigurisë.