Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turqia arreston nëntë persona për zjarrin që la 76 të vdekur

Turqia arreston nëntë persona për zjarrin që la 76 të vdekur

Turqia ka arrestuar të mërkurën nëntë persona, përfshirë pronarin e hotelit, në lidhje me një zjarr vdekjeprurës që mori jetën e 76 personave dhe la të lënduar dhjetëra të tjerë, në një vendpushim skish në Turqinë perëndimore, ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.

Yerlikaya ka thënë gjithashtu se trupat e 45 viktimave u janë dorëzuar familjeve të tyre, ndërsa testet e ADN-së janë duke u kryer për të identifikuar trupat e mbetur në institutin e mjekësisë ligjore.

Zjarri ka rënë në hotelin Grand Kartal në vendpushimin e skive Kartalkaya në malet Bolu.

Hoteli ku shpërtheu zjarri ka shprehur dhimbjen e thellë në një deklaratë të mërkurën dhe u zotua për bashkëpunim të plotë me hetimin.

“Ne po bashkëpunojmë me autoritetet për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e këtij incidenti”, thuhet në deklaratë. 

Hoteli 12-katësh, i cili kishte 238 mysafirë të regjistruar, u përfshi nga flakët pasi zjarri filloi në katin e restorantit rreth orës 3:30 të mëngjesit të së martës. Të mbijetuarit përshkruan skena paniku teksa iknin nëpër korridoret e mbushura me tym dhe u hodhën nga dritaret për të shpëtuar.

Autoritetet po përballen me kritika në rritje për masat e sigurisë së hoteleve, pasi të mbijetuarit raportuan se asnjë alarm zjarri nuk u ndez gjatë incidentit. 

Exit mobile version