Zëvendësministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, i shoqëruar edhe nga sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, takoi ish- kryeministrin e Turqisë, aktualisht deputet në parlamentin turk, Ahmet Davutoğlu.
Davutoğlu priti zëvendësministrin Hoti dhe sekretarin Firzi në shtëpinë e tij në Stamboll, në shenjë mirënjohje që ka për Kosovën dhe shqiptarët e saj.
Gjatë takimit, me theks të veçantë u diskutua për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës dhe për raportet e shkëlqyera mes të dyja shteteve mike.
Davutoğlu shpalosi detaje nga koha kur ka shërbyer si ministër i jashtëm i Turqisë dhe pastaj si kryeministër, ku tregoi se si në çdo arenë ndërkombëtare ka lobuar fuqishëm për Kosovën.
Gjithashtu, ai përmendi lidhjet e përbashkëta historike e familjare me Kosovën dhe siguroi se Kosova është në qendër të vëmendjes së Republikës turke, madje nuk hezitoi të thoshte se në Turqi ka më shumë shqiptarë se sa në Kosovë.
Kurse, zëvendësministri Hoti shprehi falënderimet për ndihmën e Turqisë ndaj Kosovës dhe personalisht të Davutoğlut për kontributin që ka dhënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Është diskutuar edhe mundësia e fuqizimit të Kosovës në Ballkanin Perëndimorë.
Rol kyç pati edhe diskutimi për UNESCO-n ku u kërkua që në kuadër të shteteve të Kaukazit të Azisë së Mesme, të Afrikës dhe të Organizatës Islamike, të bëhet një lobim më i fuqishëm për pranimin e Kosovës në UNESCO.
U tha se pranimi i Kosovës në këtë organizatë është me rëndësi rajonale dhe mesdhetare duke pasur parasysh trashëgiminë kulturore që ka Kosova.
Hoti dhe Davutoğlu diskutuan mundësinë e investimeve strategjike që prekin qytetarët e Kosovës, e jo vetëm në investime të korporatave të mëdha.
Zëvendësministri e ftoi Davutoğlu që së shpejti ta vizitojë Kosovës dhe në qoftë se libri i tij “Civilizimet dhe Qytetet” përkthehet edhe në gjuhën shqipe ai kur të vizitojë Kosovën, Hoti i premtoi se do ta ndihmojë ta promovojë atë në Prishtinë.