Turqi, urdhër arresti për dhjetëra të dyshuar të FETO-s

Prokuroria e Ankarasë ka lëshuar urdhër arresti për dhjetëra persona të lidhur me organizatën terroriste FETO, e cila konsiderohet përgjegjëse për përpjekjen e grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokuroria përmes një deklarate thotë se në kuadër të hetimit është lëshuar urdhër arrest për kapjen e të dyshuarve që kishin qëndruar në konviktet e FETO-s, për vjedhjen e pyetjeve për provimet e shërbimit civil. Kandidatët e lidhur me FETO-n ndër vite kanë pasur një avantazh ndaj kandidatëve të tjerë të provimeve.

Aksioni i policisë nga ekipet e anti-terrorit është kryer në gjithsej 12 qytete, përfshirë Ankaranë.

Gjithashtu, Prokuroria e Ankarasë lëshoi ​​urdhër arresti për 17 anëtarë të Komandës së Forcave Ajrore, shtatë prej të cilëve janë në shërbim aktiv, sepse u zbulua se ishin në kontakt me të ashtuquajturit “imamë” të organizatës terroriste FETO/PDY.

Deklarata thekson se këta ishin persona që ishin në kontakt me të ashtuquajturit “imamë civilë” të FETO-s në disa rrethe të Ankarasë. Aksioni i kapjes së të dyshuarve po kryhet nga Njësia Anti-terroriste e Drejtorisë së Policisë në Ankara.

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e grusht shtetit të mposhtur në Turqi natën e 15 korrikut të vitit 2016.

Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, me banim në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia e kërkoi zyrtarisht nga Washingtoni.

Anëtarët e kësaj organizate terroriste janë avancuar në shërbim për vite me radhë, duke kurdisur provimet dhe duke u infiltruar kështu në institucionet e shtetit. Pastaj, së pari në dhjetor të vitit 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin turk u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të lartë përmes një gjykimi të montuar për korrupsion të pretenduar.

Disa vjet më vonë, pasoi përpjekja e dështuar për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, një përpjekje për grusht shteti e kryer nga oficerët e infiltruar të FETO-s në ushtrinë turke.

Hetimet në lidhje me organizatën terroriste FETO treguan se ky është një rrjet global që përbën rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv. Zyrtarët turq e kanë theksuar këtë në disa raste. Gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi, u martiruzuan 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.