Turqi, urdhër arresti për 89 terroristë të dyshuar të FETO-s

Prokurorët në kryeqytetin turk Ankara të premten lëshuan urdhër për arrestimin e 89 personave për lidhje të dyshuara me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga prokurorët, urdhri u lëshua si pjesë e hetimeve, në përpjekje për të zbuluar infiltrimin e FETO-s në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë Turke.

Të dyshuarit kanë përdorur sisteme komunikimi të fshehta dhe paralele brenda xhandarmerisë, kurse në mesin e tyre janë 29 zyrtarë aktiv në detyrë, si dhe personel të pensionuar ose të pezulluar nga detyra.

Paralelisht me këtë, policia turke mëngjesin e sotëm kreu një bastisje në një objekt në Ankara duke privuar nga liria katër të dyshuar për komandimin e elementëve të infiltruar të FETO-s brenda strukturave policore të Turqisë.

Bastisja u ndërmor në një objekt të cilin terroristët e shfrytëzonin për fshehje dhe veprimtari sekrete.

Terroristët u vërejtën se gjatë ardhjes në këtë shtëpi, njëherë ecnin përreth për t’u siguruar se nuk janë duke u ndjekur, si dhe u përpoqën të krijojnë përshtypje se objekti ishte i braktisur duke lënë para derës letra të vjetra postare dhe fatura komunale.

Të dyshuarit me muaj kanë ndjekur rekomandimet për mbajtjen e maskës, për t’u fshehur në mënyrë shtesë para opinionit, kurse gjatë bastisjes në shtëpi u gjetën dokumente të falsifikuara.

Hetimet janë realizuar bashkërisht dhe në bashkëpunim me Agjencinë Turke të Inteligjencës (MIT) dhe njësitë e policisë turke kundër terrorizmit dhe krimeve kibernetike, shtohet në deklaratë.

Operacionet janë duke vazhduar në 37 nga 81 provincat e Turqisë për të arrestuar 89 të dyshuar.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut 2016, i cili la 251 martirë dhe gati 2.200 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit të ithtarëve të saj në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.