Turqi, të paktën dy të vdekur nga përmbytjet

Të paktën dy persona të vdekur, tre të tjerë të zhdukur dhe rreth 30 mijë qytetarë pa energji elektrike është bilanci i përmbytjeve në Mersin të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qyteti Mersin është goditur nga një fatkeqësi me përmasat më të madhe në historinë e tij, për çka për gjashtë orë, në qytet kanë rrënë 170 litra shi për një metër katror, që është një e treta e rreshjeve që zakonisht bie për një vit.

Minstri turk për Zhvillim, Lutfi Elvan vizitoi shtabin e krizës në Mersin, ku është innformuar për situatën në terren.

“Zyra e guvernatorit të Mersinit, institucionet tjera publike si dhe autoritetet e qytetit janë duke punuar në terren me 686 automjete dhe 2.347 njerëz. Përdoren 78 makina për pompimin e ujit. Për fat të keq, dy persona kanë humbur jetën, tre persona llogariten të zhdukur të cilët po kërkohen nga ekipet tona”, tha Elvan.

Nën ujë kanë ngelur 851 objekte dhe 331 automjete ndërsa pa energji elektrike aktualisht janë rreth 28 mijë banorë në 113 fshatra rreth qytetit.