Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, paralajmëroi se Marrëveshja e Ripranimit nuk do të vazhdojë në rast se Bashkimi Evropian nuk mban premtimin në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Turqisë
Në një prononcim për të përditshmen greke “Kathimerini”, Mevlut Çavusoglu theksoi se Turqia do ta ketë të pamundur të ndalë e vetme emigracionin e jashtëligjshëm për sa kohë që BE-ja nuk përmbush angazhimet dhe përgjegjësitë e saj.
Shefi i diplomacisë turke vuri në pah se Brukseli duhet të veprojë në përputhje me të priturat e Ankarasë për heqjen e regjimit të vizave, që Unioni aplikon ndaj qytetarëve turq, jo më vonë se muajin tetor; përkundrazi, do të jetë e pamundur që Turqia të vazhdojë përmbushjen e detyrimeve në kuadër të Marrëveshjes së Ripranimit.
Mes të tjerash, Çavusoglu u ndal mbi potencialin e fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.
“Shpresoj që të ekstradohen sa më parë të jetë e mundur 8 puçistët, që kanë kërkuar azil politik nga Greqia, ku u arratisën pasi morën pjesë në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut”, u shpreh ai.
Pasi nënvizoi se tentativa puçiste tregoi qartë se sa i madh është kërcënimi i organizatës terroriste guleniste (FETO), ministri turk i Punëve të Jashtme tha se presin mbështetjen e miqve dhe aleatëve kundër anëtarëve të kësaj strukture të errët, të cilët janë vendosur dhe ushtrojnë aktivitet jashtë Turqisë.