Tekstet e para shkollore dhe materialet mësimore të përgatitura nga Ministria e Arsimit e Turqisë për lëndën e gjuhës shqipe, e cila u fut në planprogramin mësimor si lëndë zgjedhore, u janë shpërndarë nxënësve, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga AA, Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Thrakisë më 21 tetor të vitit të kaluar kishin firmosur protokoll bashkëpunimi për mësimin e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake në kuadër të lëndës zgjedhore Gjuhë dhe Dialekte të Gjalla.
Si rrjedhojë, planprogrami për gjuhën shqipe dhe boshnjake për klasat 5, 6, 7 dhe 8 të shkollave të mesme të ulëta (sipas sistemit arsimor në Turqi) u pranua për t’u zbatuar si lëndë zgjedhore duke filluar nga viti akademik 2017-2018, pas miratimit të Bordi Edukativ Arsimor i Turqisë.
Muajin e kaluar, mes Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit të Universitetit të Thrakisë u nënshkrua marrëveshje për dhurim lidhur me përgatitjen e teksteve dhe materialeve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake.
Tekstet dhe materialet shkollore të gjuhës shqipe, të përgatitura nga një komision në kuadër të Rektoratit të Universitetit të Thrakisë, janë miratuar edhe nga ministria.
Tekstet u ndanë për nxënësit e klasës së tetë
Lënda e gjuhës shqipe është zgjedhur nga 44 nxënës në Shkollën “Alija Izetbegoviç” në Kemalpasha të Izmirit. Nxënësve të kësaj shkolle librat e gjuhës shqipe u shpërndanë pa pagesë.
Nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë lëndën e gjuhës shqipe për dy orë në javë, duke u mbështetur me kurse shtesë gjatë fundjavës.
Po ashtu, Drejtoria Lokale e Arsimit në Kemalpasha dhe Shoqata Kulturore Shqiptare në Turgutlu këtë muaj kanë firmosur protokoll për hapjen e kursit të gjuhës shqipe. Ligjërimi në këto kurse mbështetëse të fundjavës do të bëhet nga një mësimdhënës i lindur në Shqipëri.
Ndërkohë, së shpejti pritet edhe shpërndarja e teksteve për lëndën e gjuhës boshnjake, të cilat aktualisht janë në procedurën e shtypjes, ndërsa ende vazhdon përgatitja e materialeve mësimore për këtë lëndë.