Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turqi/ shkon në 49 numri i të vdekurve nga tërmeti

Turqi/ shkon në 49 numri i të vdekurve nga tërmeti

Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi rajonin e Egjeut të Turqisë u rrit në 49, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) e vendit, transmeton AA.

Mes viktimave janë edhe tre shqiptarë të Kosovës. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli. Personat që kanë humbur jetën janë përkatësisht; Nazmije Dograjan, 64-vjeçe, Hatixhe Dogruja, 70-vjeçe dhe burri i saj Bajram Dogruja, 73-vjeç. Shqiptarët nga Kosova, të larguar nga Prishtina që në 1956 dhe të vendosur në Izmir nuk mundën që të mbijetojnë nga tërmeti tragjik, pasi rrënojat i zunë poshtë nga shembjet e godinave.

“Nga komunikimet e vazhdueshme, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është informuar se tre persona me origjinë nga Kosova nga familja Doğrayan në Izmir kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit. Mund të konfirmojmë se deri më tani nuk ka të dhëna për shtetas të Republikës së Kosovës të vdekur. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes Doğrayan dhe të gjithë familjeve dhe të afërmve tjerë të prekur nga kjo tragjedi, dhe iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve”,thuhet në postimin e ambasadës.

Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD)  tha që deri në këto kohë, ka pasur 850 pas-tronditje, prej të cilave 40 më të forta se 4 ballë. Aktivitetet e kërkimit dhe shpëtimit po vazhdojnë në provincën bregdetare të Izmirit. Të paktën 896 njerëz janë lënduar nga tërmeti me magnitudë 6,6 që të premten tronditi Izmirin.

Exit mobile version