Turqi, rritet në 102 numri i jetëve të humbura nga tërmeti në Izmir

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se është rritur në 102 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Izmir, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga AFAD thuhet se pas tërmetit 6.6 ballë që goditi më 30 tetor qytetin e Izmirit, janë regjistruar 1.475 paslëkundje, prej të cilave 44 më të forta se 4 ballë.

Në tërmet humbën jetën 102 persona. Nga 1.026 qytetarë të plagosur, janë liruar nga spitali pas trajtimit 883 persona ndërkohë vazhdojnë të marrin trajtim ende 143 prej tyre.

Gjithashtu punimet e kërkim-shpëtimit në Izmir nga 17 ndërtesa kanë përfunduar në 12 prej tyre dhe vazhdojnë ende në 5 ndërtesa.

Kujtojmë se të premten, një tërmet 6.6 ballësh goditi Izmirin, qytetin e tretë më të madh të Turqisë me rreth 4.37 milionë banorë.