Turqi, rritet besimi në ekonomi në muajin tetor

Indeksi i besimit në ekonominë e Turqisë shënoi një përmirësim në muajin tetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Indeksi u rrit me 4.8 për qind duke arritur në 92.8 pikë në tetor, nga 88.5 pikë sa ishte në shtator, bëri të ditur Instituti Turk i Statistikave (TurkStat).

“Kjo rritje në indeksin e besimit ekonomik buron nga rritjet në sektorin real (industria prodhuese), shërbimet, tregtia me pakicë dhe indekset e besimit në ndërtim”, vuri në dukje TurkStat.

Midis nën-indekseve, shërbimet dhe indekset e sektorit real shënuan rritjen më të lartë nga muaji në muaj në tetor me 6.4 për qind, përkatësisht 3.8 për qind.

Indekset e tregtisë me pakicë u rritën me 1.7 për qind dhe indeksi i ndërtimit u rrit me 0.6 për qind ndërsa rënie shënoi vetëm indeksi i besimit të konsumatorit me 0.1 për qind në këtë muaj.

Indeksi i besimit të konsumatorit, i llogaritur nga rezultatet e anketës, vlerësohet brenda një diapazoni prej 0-200 pikë, duke treguar një perspektivë optimiste kur indeksi është mbi 100 pikë dhe pesimiste kur është nën këtë shifër.