Shumë qytetarë u mblodhën sonte para selisë së partisë në pushtet, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara dhe qendrat përreth të kësaj partie në Stamboll dhe Izmir
STAMBOLL (AA) – Një numër i madh i qytetarëve nëpër qytetet e mbarë Turqisë janë mbledhur sonte për të festuar për rezultatet e referendumit të sotëm mbi ndryshimet kushtetuese në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Shumë qytetarë u mblodhën para selisë së partisë në pushtet, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara dhe qendrat përreth të kësaj partie në Stamboll dhe Izmir.
Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ua uroi fitoren në referendumin e sotëm në Turqi krerëve të partive politike të cilët ishin protagonistë të propozimit për ndryshimet kushtetuese në këtë vend.
Pas shpalljes së rezultateve paraprake të cilat tregojnë se shumica e votuesve në Turqi sot mbështetën ndryshimet kushtetuese, Erdoğan me telefon bisedoi me kryetarin e AK Partisë, Binali Yildirim, kryetarin e partisë opozitare Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli dhe kryetarët e partive më të vogla të cilat morën pjesë në fushatën për mbështetje të reformave.
Ai me këtë rast falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në fushatën dhe të gjithë votuesit të cilët sot dolën në referendum, dhe uroi që rezultati mbi referendumin të jetë në dobi të shtetit dhe popullit të Turqisë.
Komisioni i Lartë Zgjedhor i Turqisë (YSK) njoftoi se janë numëruar 97.92 për qind të fletëvotimeve dhe se 51.32 për qind e votuesve kanë mbështetur zbatimin e reformave kushtetuese dhe vendosjen e sistemit presidencial, ndërsa 48.68 për qind e votuesve votuan kundër.
Në referendum kanë dalë 87 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.
Kryetari i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, deklaroi sonte në Ankara se qytetarët duke mbështetur ndryshimet kushtetuese me vullnet të lirë sollën fitore të madhe.
“Populli ynë i lavdëruar votoi me një maturi të madhe dhe me vullnet të lirë miratoi kalimin në sistemin presidencial të qeverisjes. Ky është sukses i rëndësishëm dhe fitore e cila nuk mund të mohohet dhe të shpërfillet”, theksoi Bahçeli.
Ai falënderoi AK Partinë për fushatën e suksesshme.