Me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan publikoi një mesazh urimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Uroj qytetarët tanë, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, dhe të gjithë miqtë tanë, të cilët ndajnë krenarinë tonë në këtë ditë, e cila është një nga hallkat e arta të historisë sonë të lavdishme, me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës”, tha Erdoğan në një video-mesazh.
Erdoğan përkujtoi gjithashtu me mirënjohje Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e republikës, dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët siguruan fitoren në Luftën e Pavarësisë.
Dita e Republikës është një festë publike turke që shënon shpalljen e Republikës së Turqisë nga Ataturku më 29 tetor 1923.
Duke thënë se Turqia la pas fazën më serioze të pandemisë së koronavirusit duke e menaxhuar me sukses falë fuqisë dhe kapacitetit të infrastrukturës së saj të kujdesit shëndetësor, presidenti turk shtoi:
“Po kështu edhe në ekonomi mbyllëm me një rritje prej 1,8 për qind vitin 2020, kur ekonomia globale u tkurr me më shumë se 3 për qind. Nuk kemi lejuar asnjë mangësi në asnjë çështje, nga lufta kundër terrorit deri te siguria publike dhe nga investimet në operacionet tona ndërkufitare”.
Presidenti theksoi se këto arritje që Turqia ka bërë në ekonomi, politikën e brendshme dhe politikën e jashtme pavarësisht vështirësive të pandemisë, janë një shenjë e rëndësishme e efektivitetit të sistemit presidencial të qeverisjes, në të cilin Turqia kaloi në vitin 2018.
“Falë Allahut, ne e ruajmë edhe në vitin 2021 gjithnjë e më shumë këtë vrull, të cilin e fituam vitin e kaluar, në çdo fushë, veçanërisht në ekonomi, prodhim dhe eksport”, shtoi ai.
“Ndërsa tashmë shihet qartë në horizont 100-vjetori i Republikës sonë (në vitin 2023), ne nuk do të lejojmë asnjë fuqi, asnjë skenar të ndyrë apo ndonjë sulm tinëzar, që kërkon pengimin e Turqisë, të na pengojë nga rruga jonë”, deklaroi presidenti Erdoğan. /aa